Kryeziu kritikon vendimin e Kushtetueses: “Rishkrim i Kushtetutës dhe vazhdim i paqartësisë”
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas njoftimit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin në rastet KO193/25 dhe KO196/25, që kanë të bëjnë me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, vendimi i Gjykatës nuk sjell zgjidhje për bllokadën institucionale, përkundrazi, shton më shumë paqartësi dhe përbën një ndërhyrje të panevojshme në tekstin dhe frymën e Kushtetutës.
Kryeziu tha se, megjithëse aktgjykimi i plotë ende nuk është publikuar, njoftimi i dhënë nga Gjykata nuk përmban sqarime që do t’i jepnin vendit një rrugë të qartë për dalje nga ngërçi politik. Ai shprehet se kishte pritur më shumë qartësi dhe orientim institucional.
Sipas Kryeziut, pikat 1, 2 dhe 3 të njoftimit nuk janë kontestuese për sa kohë nuk dihen arsyetimet e plota, por ai veçon si problematike pikën 4, e cila përcakton se kandidati për kryetar të Kuvendit mund të votohet vetëm tri herë. Më pas, grupi më i madh parlamentar detyrohet të ndryshojë kandidatin. Kryeziu konsideron se ky kufizim nuk ka asnjë bazë në tekstin kushtetues dhe përbën, sipas tij, një formë të “rishkrimit” të nenit 67 të Kushtetutës nga ana e Gjykatës.
“Në mënyrë efektive, Gjykata ka vendosur diçka që Kushtetuta nuk e parasheh. Kjo është një vazhdim i praktikës së keqe të instaluar nga Enver Hasani, ku Gjykata Kushtetuese shpik norma në vend se t’i interpretojë ato”, ka shkruar Kryeziu.
Ai gjithashtu kritikon edhe mënyrën se si Gjykata ka adresuar çështjen e votimit për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. Edhe pse deklaron se, në parim, është dakord me votimin e hapur, ai nënvizon se kjo është një çështje politike dhe jo juridike. “Nuk ekziston asnjë dispozitë juridike që i jep Gjykatës të drejtën të vendosë për formën e votimit. Ajo më parë ka thënë se të dyja format – i hapur dhe i fshehtë – janë të pranueshme”, ka theksuar ai.
Kritika të forta adresohen edhe ndaj pikës 5 të njoftimit, ku Gjykata Kushtetuese i kërkon deputetëve të marrin pjesë dhe të votojnë në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Kryeziu e cilëson këtë si tejkalim të kompetencave dhe shkelje të nenit 70 të Kushtetutës, duke theksuar se e drejta e një deputeti për të refuzuar pjesëmarrjen në një votim është pjesë e lirisë së tij politike, e garantuar me kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare.
Ndërkaq, pika 6 e vendimit, që përcakton se afati i ri 30-ditor për konstituimin e Kuvendit do të fillojë nga dita e publikimit të aktgjykimit të plotë, për Kryeziun nuk sjell ndonjë risi.
Ai e cilëson shqetësuese mungesën e qartësisë në vendim lidhur me pasojat juridike që do të ketë mosrespektimi i këtij afati apo refuzimi i deputetëve për të votuar. “Gjykata nuk ka treguar çfarë ndodh pas skadimit të afatit 30-ditor, dhe as çfarë pasojash ka për deputetët që nuk i binden urdhrit të saj”, shkruan ai.
Në përmbyllje, Kadri Kryeziu thekson se e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk pajtohet me mënyrën se si ajo ka vepruar. Ai thekson se Kosova meriton qartësi kushtetuese dhe jo vendime që krijojnë konfuzion të mëtejshëm institucional.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur, brenda një afati prej 30 ditësh nga publikimi i aktgjykimit, ndërsa kandidati mund të votohet vetëm tri herë. Gjykata gjithashtu ka konstatuar se kryesuesi aktual i Seancës Konstituive, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me vendimin e saj të datës 26 qershor 2025.
Ky vendim vjen në një moment kyç për sistemin politik dhe institucional të vendit, ndërsa sytë e opinionit publik mbeten të kthyer kah Gjykata Kushtetuese dhe roli i saj në garantimin e rendit kushtetues në Kosovë.