KQZ vazhdon aplikimin për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është në vazhdim periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale.
Të drejtë aplikimi kanë subjektet politike të certifikuara, organizatat joqeveritare (OJQ), organizatat ndërkombëtare, mediat, si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja që merren me proceset zgjedhore dhe të drejtat e njeriut.
Afatet për aplikim janë si vijon:
- Subjektet politike: deri më 17 shtator 2025
- OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare: deri më 27 shtator 2025
- Mediat: deri më 7 tetor 2025
Aplikimi bëhet online përmes platformës zyrtare të KQZ-së: https://apliko.kqz-ks.org. Përfaqësuesit e autorizuar të organizatave duhet të plotësojnë të dhënat përkatëse, ndërsa Zyra për Regjistrim dhe Certifikim do të shqyrtojë kërkesën. Në rast miratimi, akreditimi bëhet përmes dërgimit të kredencialeve për qasje në platformë, ku do të regjistrohen të dhënat e vëzhguesve.
KQZ thekson se vetëm vëzhguesit e akredituar do të mund të ndjekin procesin zgjedhor dhe aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Për më shumë informata, mund të kontaktoni përmes emailit: [email protected] ose në numrin e telefonit: +383 38 200 81 010 (prej orës 08:00 deri 16:00).