KQZ nis numërimin e votave me postë, vazhdon edhe numërimi nga përfaqësitë diplomatike

12.06.2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur procesin e numërimit të votave të ardhura me postë nga diaspora, ndërsa po vazhdon edhe numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të premten në orën 21:00 janë numëruar 34 nga gjithsej 47 vendvotime në përfaqësitë diplomatike.Ai theksoi se paralelisht me këtë proces ka filluar edhe numërimi i fletëvotimeve të para nga votimi me postë jashtë Kosovës.

Sipas Elezit, fletëvotimet e ardhura me postë janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit, ndërsa aktualisht procesi i numërimit ka nisur me një kuti votimi.

KQZ pritet të vazhdojë numërimin e votave gjatë ditëve në vijim deri në përfundimin e plotë të procesit zgjedhor.