KQZ: Në zgjedhjet e 17 tetorit më pak fletëvotime të pavlefshme se më 2017

04.11.2021

Duke krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, në këtë vit në zgjedhjet e 17 tetorit numri i fletëvotimeve të pavlefshme ka shënuar rënie. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka bërë të ditur se numri më i ulët i fletëvotimeve të pavlefshme është shënuar në të dy llojet e zgjedhjeve. Sipas […]

KQZ: Në zgjedhjet e 17 tetorit më pak fletëvotime të pavlefshme se më 2017 Foto: Ilustrim

Duke krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, në këtë vit në zgjedhjet e 17 tetorit numri i fletëvotimeve të pavlefshme ka shënuar rënie.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka bërë të ditur se numri më i ulët i fletëvotimeve të pavlefshme është shënuar në të dy llojet e zgjedhjeve.

Sipas Elezit në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave numri i fletëvotimeve të pavlefshme është rreth 13 mijë e 100, ndërsa në ato për Kuvende Komunale janë rreth 56 mijë e 200 të tilla.

Ndërkaq, në statistikat e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor 2021, nga KQZ-ja nuk janë përfshirë fletëvotimet që votuesit i kanë lënë të zbrazëta kur edhe i kanë hedhur në kutinë e votimit.

“Në bazë të statistikave nga shpallja e rezultateve përfundimtare, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave është 13 mijë apo 1.61%, ndërsa kjo shifër është më e lartë në Zgjedhjet për Kuvende Komunale. Pa llogaritur fletëvotimet e zbrazëta, sipas të dhënave, janë rreth 56 mijë e 200, apo 6.91%, fletëvotime të pavlefshme në të gjithë Kosovën në Zgjedhjet për Kuvende Komunale”, tha Elezi për EkonomiaOnline.

Sipas tij, nëse këto të dhëna krahasohen me zgjedhjet lokale të vitit 2017, vërehet se numri i fletëvotimeve të pavlefshme është më i ulët në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Nëse këto të dhëna i krahasojmë me zgjedhjet lokale paraprake, të vitit 2017, atëherë vërejme se në këto zgjedhje kemi numër më të ulët të fletëvotimeve të pavlefshme në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave e poashtu edhe në Zgjedhjet për Kuvende Komunale”.

“Në vitin 2017, pa llogaritur fletëvotimet e zbrazëta, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave ka qenë 13 mijë e 814 fletëvotime apo 1.65%. Ndërsa, në Zgjedhjet për Kuvende Komunale ky numër ka qenë 66 mijë e 151 apo 7.97%”, tha ai.

Sipas tij, KQZ-ja akoma nuk ka një raport përmes së cilit do të bëheshin të ditura arsyet dhe natyra e pavlefshmërisë së fletëvotimeve.