KQZ më 16 maj tërheq shortin për numrat rendorë të subjekteve politike për zgjedhjet e 7 qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 16 maj do të organizohet tërheqja e shortit për përcaktimin e numrave rendorë të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Foto: Ilustrim
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se në këtë proces pritet të përfshihen gjithsej 27 subjekte politike.
Sipas tij, pas përfundimit të periudhës për njoftim të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe formim të koalicioneve (1–7 maj), si dhe aplikimit për certifikim nga subjektet e reja (2–10 maj), është përcaktuar struktura përfundimtare e pjesëmarrësve: 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Elezi sqaroi gjithashtu se tërheqja e shortit nuk nënkupton nisjen e menjëhershme të fushatës zgjedhore, pasi afatet janë të ndara nga KQZ-ja.
Sipas vendimit të KQZ-së, fushata zgjedhore për subjektet e certifikuara do të fillojë më 28 maj dhe do të përfundojë në orën 06:59 të mëngjesit të 7 qershorit 2026.
