KQZ hap aplikimin për certifikimin e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar periudha për aplikimin dhe certifikimin e subjekteve politike që synojnë të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, periudha për dorëzimin e aplikimeve dhe listës së kandidatëve do të zgjasë deri më 13 gusht, ndërsa për të lehtësuar këtë proces, KQZ ka mundësuar aplikimin online.
“Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), do t’iu krijojë dhe dërgojë ‘userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin e tyre”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Po ashtu, KQZ do të krijojë llogari edhe për nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që dëshirojnë të aplikojnë për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
Për të ndihmuar subjektet politike në përdorimin e platformës online, Zyra përkatëse ka vënë në dispozicion dy tavolina ndihmëse dhe numrin e kontaktit 038 200 81 010, i cili është i qasshëm nga ora 08:00 deri në 16:00.
Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit dhe procesin e certifikimit janë të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së:
ose direkt në këtë vegëz:
👉 Certifikimi i subjekteve politike
KQZ fton të gjitha subjektet e interesuara që të respektojnë afatet dhe të përfitojnë nga lehtësitë që ofron platforma digjitale për aplikim.