KQZ: Deri më 30 gusht partitë politike duhet të njoftojnë koalicionet e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit

23.08.2024

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

KQZ: Deri më 30 gusht partitë politike duhet të njoftojnë koalicionet e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit Foto: Ilustrim

Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen.

Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.

Gjithashtu, deri më 30 gusht 2024 është afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.