KQZ: Deri më 29 gusht qytetarët mund të ndërrojnë Qendrën e Votimit brenda komunës

07.07.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.

Kjo periudhë ka filluar më 28 qershor dhe do të zgjasë deri më 29 gusht 2025. Gjatë kësaj kohe, qytetarët me të drejtë vote mund të kontrollojnë Qendrën e tyre të Votimit dhe, nëse dëshirojnë, ta ndryshojnë atë për ta pasur më afër vendbanimit të tyre brenda komunës.

Ndërrimi i qendrës mund të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së në linkun: https://qv.kqz-ks.org, ose duke paraqitur kërkesën për ndryshim në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku votuesi është i regjistruar.

KQZ inkurajon qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të siguruar një proces votimi më të lehtë dhe më të qasshëm në ditën e zgjedhjeve.