Kosova kërkon heqjen e menjëhershme të masave të BE-së, i quan të padrejta

18.12.2024

Qeveria e Kosovës reagon ndaj konkluzioneve të BE-së, duke theksuar se nuk ka arsye për vazhdimin e tyre

Qeveria e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj konkluzioneve të ministrave të Bashkimit Evropian, të cilat parashikojnë heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Në një deklaratë për Rtv21, Qeveria e Kosovës ka kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të plotë të këtyre masave, duke argumentuar se nuk ekziston asnjë arsye valide për vazhdimin e tyre.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka theksuar se Kosova nuk ka qenë shkaktare e tensioneve në veri të vendit, por përkundrazi ka qenë viktimë e sulmeve të vazhdueshme nga grupe kriminale dhe struktura të organizuara të drejtuara nga Serbia. Kryeziu ka përkujtuar sulmet terroriste në Banjskë të Zveçanit dhe në Zubin Potok si prova të këtij fakti.

“Republika e Kosovës e ka përmbushur anën e saj të dakordimit të Bratislavës. Ka 6 muaj prej kur z. Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës. Ka kohë që nuk ka më asnjë arsye valide që masat të jenë në fuqit”, ka deklaruar Kryeziu.

Sipas tij, Kosova i bën thirrje BE-së të kthejë shikimin drejt Serbisë, të cilën e akuzon për sjellje agresive ndaj Kosovës dhe për të qenë burim i tensioneve në rajon.