Koncert homazh madhështor në Bujanoc për Komandant Lleshin në përvjetorin e rënies

27.05.2025

Në Pallatin e Kulturës në Bujanoc u mbajt të dielën një koncert homazh përkujtimor emocionues kushtuar heroit Ridvan Qazimi – Komandant Lleshit, në përvjetorin e rënies së tij.

Organizatori i këtij aktiviteti ishte Komuna e Bujanocit, duke mbledhur bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Koncerti nisi me intonimin e himnit kombëtar nga grupi koral, pasuar nga një minutë heshtjeje në nderim të Komandant Lleshit. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK), Bejtulla Bejtullahu, në fjalimin e tij bëri thirrje për unitet dhe bashkim si rruga e vetme përpara për shqiptarët.

Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, kujtoi heroizmin e jashtëzakonshëm të Komandant Lleshit në betejat e shumta, veçanërisht udhëheqjen e shkëlqyer të Brigadës 112 “Sherif Jonuzi e Enver Bajrami” në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Një moment kulminant i mbrëmjes ishte monologu premierë “Shkëndijë lirie” nga Besiana Mehmedi, me përcjellje në piano nga Rudina Ciko. Monologu evokoi kujtimet për fëmijët e komandantit, bashkëshorten e tij Shejzije, prindërit Isen e Ilfete, duke theksuar dashurinë e tij të thellë për atdheun. U rikujtua rënia e tij heroike tek “Gurët e buajve” më 24 maj 2001, Marrëveshja e Konçulit, muzeu i ngritur në Tërnoc të Madh dhe lapidari kushtuar atij. Gjithashtu, u evokuan momente të rëndësishme si ngritja e flamurit kombëtar në Bujanoc.

Levent Qazimi, djali i Komandant Lleshit dhe nënkryetar i komunës së Bujanocit, gjithashtu përshëndeti të pranishmit.

Në skenë u prezantua edhe kompozimi premierë i Sami Piraj me tekst të Shkodran Tolajt, interpretuar nga Besiana Mehmedi, i cili u duartrokit gjatë. Artistja Mariana Leka interpretoi veprat “Unë biri yt Kosovë” dhe “Agimet shqiptare”, ndërsa aktori i mirënjohur Xhevat Limani emocionoi publikun me interpretimin e vargjeve të Nolit “Mbahu nën’ o mos ke frikë”.

Momente prekëse ishin edhe interpretimi i këngës “Ai është i gjallë” dedikuar Adem Jasharit, si dhe dy duetët “Këngë moj” dhe “Valsi i lumturisë” nga Besiana Mehmedi e Mariana Leka, që përcollën mesazhin e komandantit për të jetuar dhe gëzuar jetën.

Në fund, maestro Zhani Ciko u mirëprit me duartrokitje dhe në shenjë nderimi për komandantin, dirigjoi Himnin e Evropës, duke simbolizuar idealin e Lleshit për një Evropë pa kufij për shqiptarët. Drejtori artistik Shkodran Tolaj mbylli koncertin, duke u falënderuar për kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.