“Lëreni Kurtin jashtë kësaj çorbe, mos e përdorni flamurin e UÇK-së për përplasje politike”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas debateve të fundit lidhur me përfshirjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në zhvillimet politike në Shqipëri.
Përmes një reagimi publik, Rama ka theksuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë pjesë e një populli shtetformues në vendin ku jetojnë, ndërsa shqiptarët e Kosovës, sipas tij, nuk mund të konsiderohen diasporë pasi Kosova është shtet i pavarur.
Rama ka kritikuar përfshirjen e disa grupeve politike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protesta dhe aktivitete politike në Tiranë, duke thënë se paraqitja e tyre si “diasporë” e Shqipërisë dëmton imazhin e shqiptarëve jashtë vendit.
Një pjesë të reagimit të tij, kryeministri ia ka kushtuar edhe përdorimit të flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në protesta politike. Ai ka thënë se simboli i UÇK-së nuk duhet të përdoret për beteja të brendshme politike në Shqipëri.
Rama ka përmendur edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar që emri i tij të mos përfshihet në këtë debat. Sipas tij, Kurti nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e individëve të caktuar, pasi çdo forcë politike ka persona që nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e drejtuesve të saj.
