Klan Kosova gjobitet me 30,000 euro për promovimin e dhunës psikologjike në “Big Brother”

16.12.2024

Në një vendim historik, Këshilli për Media në Kosovë (KPM) ka gjobitur televizionin Klan Kosova me 30,000 euro për shkak të promovimit të dhunës psikologjike, gjuhës denigruese dhe fjalorit vulgar në emisionin “Big Brother”.

Ky vendim është marrë pas tetë ankesash të paraqitura kundër këtij emisioni, të cilat kanë dëshmuar se “Big Brother” ka tejkaluar çdo kufi në promovimin e sjelljeve të papranueshme dhe të dëmshme për shoqërinë, veçanërisht për gratë dhe fëmijët.

Vendimi i KPM-së është një precedent i rëndësishëm në Kosovë, pasi tregon se institucionet janë të vendosura të luftojnë çdo formë të dhunës dhe diskriminimit që promovohet në media. Ky vendim dëshmon se në Kosovë nuk tolerohet promovimi i dhunës ndaj grave, denigrimi i komuniteteve dhe dëmtimi i fëmijëve përmes përmbajtjes televizive.

Në vendimin e tij, KPM-ja thekson se Klan Kosova ka shkelur në mënyrë flagrante Kodin e Etikës, veçanërisht nenin 3.1 i cili ndalon përmbajtjen që nxit urrejtjen, dhunën, diskriminimin ose përbuzjen. Gjithashtu, janë shkelur edhe nenet 4 dhe 5 të Kodit, të cilat lidhen me mbrojtjen e fëmijëve dhe me përgjegjësinë sociale të mediave.