KEK ndalon njësinë A4 të Termocentralit Kosova A për shkak të defektit në ventilator
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar sot se, për shkak të një sinjalizimi për defekte në ventilatorët e kullës ftohëse, është detyruar të ndalë njësinë A4 të Termocentralit Kosova A (TCA).
Sipas njoftimit të KEK-ut, kjo ndalesë është bërë me qëllim të parandalimit të një defekti më të madh dhe për të mundësuar riparimin sa më të shpejtë të problemit.
KEK ka njoftuar gjithashtu partnerët e saj afaristë në kohë për këtë ndërprerje, duke sqaruar se kapaciteti i kësaj njësie nuk ishte planifikuar për prodhim gjatë ditës së nesërme.
“Ekipet e Termocentralit Kosova A janë në gjendje të plotë gatishmërie dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe sanimin e defektit, sapo të krijohen kushtet teknike. Objektivi ynë mbetet rikthimi i njësisë në operim sa më parë që të jetë e mundur,” thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Ende nuk dihet kohëzgjatja e ndalimit të njësisë A4, por KEK ka siguruar se po punohet intensivisht për zgjidhjen e problemit.