KE nis punën për heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës
Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka “nisur punën” drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.
Foto: Ilustrim
Ky njoftim vjen nga zyra për shtyp e KE-së në një përgjigje me shkrim për mediat, ku theksohet se procesi i heqjes do të jetë gradual, i kushtëzuar dhe i kthyeshëm.
Institucioni evropian bën të ditur gjithashtu se kësaj faze i ka paraprirë një shkëmbim qëndrimesh mes shteteve anëtare të BE-së gjatë takimit të ministrave të jashtëm në muajin prill.
Sipas burimeve jozyrtare, hapi i parë i heqjes graduale është për momentin më shumë simbolik sesa substancial. BE-ja ka zhbllokuar funksionimin e nënkomiteteve me Kosovën dhe ka rifilluar asistencën teknike nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Burime diplomatike në Bruksel sugjerojnë se ky është maksimumi që BE-ja mund të ofrojë aktualisht, pasi për heqjen e plotë të masave kërkohet pajtimi unanim i të gjitha shteteve anëtare. Për të arritur një konsensus të tillë, thuhet se nevojiten veprime të qarta nga autoritetet e Kosovës, në përputhje me konkluzionet e dhjetorit, ku u theksua se heqja graduale e masave do të ndodhë paralelisht me hapat konkretë të autoriteteve kosovare drejt uljes së tensioneve në veri të vendit./RTK