Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar dhe trajtuar nga Policia e Kosovës më 25 korrik 2025 në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë raste të dhunës fizike dhe psikike ndaj bashkëshorteve dhe anëtarëve tjerë të familjes.
Foto: Ilustrim
Në Prishtinë, një burrë është arrestuar rreth orës 01:00 pas mesnate nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Pas intervistimit të palëve dhe inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në një rast tjetër në Obiliq, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe më pas është larguar me dëshirë për te prindërit e saj. Edhe në këtë rast, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Gjilan, një burrë është arrestuar pas raportimeve për dhunë psikike ndaj nënës së tij. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje pas intervistimit.
Rasti më i rëndë është regjistruar në Rahovec, ku një burrë dyshohet se më 23 korrik ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Ai është arrestuar më 25 korrik. Viktima ka pranuar ndihmë mjekësore dhe është strehuar te prindërit e saj. Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie të kalibrit 12 mm dhe 14 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje.
Të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente.