Kapet me mijëra euro të padeklaruara në kufi – Dogana i konfiskon 25% të parave

06.10.2025

Zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare të Vermicës kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara, gjatë një kontrolli të detajuar ndaj një automjeti që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar nga Dogana e Kosovës, pas pyetjes standarde në lidhje me posedimin e mjeteve monetare, udhëtari kishte mohuar të kishte ndonjë shumë për deklarim. Por, gjatë kontrollit të thelluar në vijën e dytë, është konstatuar se personi posedonte shumë që tejkalonte kufirin e lejuar prej 10,000 eurosh, pa deklaruar paraprakisht siç e kërkon ligji.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi, autoritetet doganore kanë konfiskuar 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Dogana e Kosovës ka theksuar edhe një herë rëndësinë e deklarimit të mjeteve monetare, duke bërë thirrje për respektim të obligimeve ligjore nga të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që hyjnë apo dalin nga territori i vendit.

“Çdo shumë mbi 10,000 euro, e bartur në hyrje apo dalje nga Kosova, duhet të deklarohet paraprakisht pranë zyrtarëve doganorë,” thuhet në komunikatën e Doganës.

Autoritetet po vazhdojnë me procedurat e nevojshme për zbardhjen e rastit dhe për të përcaktuar saktësisht rrethanat e shkeljes.