Kadetët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës diplomojnë në një ceremoni solemne në Prishtinë
Në ambientet e Kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, sot u mbajt ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të gjeneratës 2025 të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, oficerë dhe nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, familjarë të kadetëve, si dhe mysafirë të shumtë.
Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, në fjalimin e saj gjatë ceremonisë, vlerësoi lart përkushtimin dhe përgatitjen e kadetëve të rinj, duke theksuar se ata janë garanci për të ardhmen e sigurt të vendit.
“Toka jonë e ka njohur dhimbjen dhe sakrificën për shekuj me radhë, por mbi të gjitha ka lindur nga qëndresa. Forca juaj është trashëgimia e UÇK-së dhe amaneti i dëshmorëve që flijuan gjithçka për lirinë që gëzojmë sot. Ju jeni besimi ynë që Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë në duar të sigurta, të ndershme dhe të vendosura,” tha Osmani.
Presidentja shtoi se emrat e këtyre kadetëve përfaqësojnë djem dhe vajza të aftë, të disiplinuar, të guximshëm dhe krenarë. Ajo theksoi gjithashtu se kjo gjeneratë është pasqyrë e një force që po ecën me hapa të sigurt drejt NATO-s dhe standardeve më të larta të mbrojtjes.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë adresimit të tij në këtë ceremoni, theksoi rëndësinë strategjike të zhvillimit të FSK-së dhe orientimin e saj të qartë drejt të ardhmes evropiane.
“Ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit, me kapacitete të plota si ushtri profesionale, me ushtarakë të përgatitur e të pathyeshëm për sovranitet shtetëror dhe integritet territorial, për paqe për mbarë shoqërinë, për siguri për qytetarët,” u shpreh Kurti.
Ai nënvizoi investimet e bëra në fushën e mbrojtjes, duke përmendur mbi 300 milionë euro të investuara në katër vitet e fundit, si dhe rekrutimin e mbi 2700 ushtarëve dhe oficerëve të rinj. Kurti shtoi se këta kadetë përfaqësojnë bazën e ndërtimit të mëtejshëm të FSK-së dhe të rrugës së saj drejt integrimit në NATO.
Diplomimi i gjeneratës 2025 përkon me 20-vjetorin e themelimit të Qendrës për Studime Universitare, një institucion që ka nxjerrë qindra oficerë ushtarakë ndër vite. Kadetët e kësaj gjenerate janë trajnuar sipas modelit arsimor dhe stërvitor të ushtrisë amerikane dhe NATO-s, duke i dhënë kësaj gjenerate përgatitjen e nevojshme për sfidat që e presin.
Ceremonia e sotme shënon një hap të rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të FSK-së si një forcë profesionale, moderne dhe gjithnjë e më e integruar në strukturat ndërkombëtare të sigurisë.