Jasharaj i SBASHK-ut i vendosur: Kemi “Jo” të fuqishme ndaj 50 eurove të Kurtit

14.09.2022

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se sindikalistët janë të gatshëm për të vazhduar dialogun me qeverinë për t’i dhënë fund grevës në arsim, por ka kërkuar që kërkesa e tyre të trajtohet me seriozitet dhe jo me kërcënime e linçime. Në një intervistë në “RTK Prime”, Jasharaj ka folur për takimin e djeshëm […]

Jasharaj i SBASHK-ut i vendosur: Kemi “Jo” të fuqishme ndaj 50 eurove të Kurtit Foto: Ilustrim

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se sindikalistët janë të gatshëm për të vazhduar dialogun me qeverinë për t’i dhënë fund grevës në arsim, por ka kërkuar që kërkesa e tyre të trajtohet me seriozitet dhe jo me kërcënime e linçime.

Në një intervistë në “RTK Prime”, Jasharaj ka folur për takimin e djeshëm me kryeministrin Albin Kurti, si dhe për mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje.

Duke folur për ftesën që Kurti i bëri sot atyre për të qenë pjesë e konsultimeve për Ligjin e Pagave, Jasharaj tha se SBASHK-u tash e 9 muaj ka bërë kërkesë që të jetë pjesë e Ligjit të ri për Paga.

“Sepse kur ligji finalizohet ne nuk është mirë që të jemi pjesë e debatit publik si palë sepse përfaqësojmë dikë dhe ne i kemi paraqitur kërkesat tona përmes Ministrisë së Arsimit dhe duam të bindemi a janë përfillur kërkesat tona të argumentuara për secilin koeficientë veç e veç, e jo të jemi në cilësinë e publikut dhe të japim komente, kur dihet se komentet nuk janë obligative për palën tjetër”, ka theksuar Jasharaj në RTK.

Ai ka thënë se nuk i kanë parë koeficientët, përveç asaj që është përmendur nga vetë qeveritarët se vlera e koeficientit do të jetë 120, edhe pse sipas tij as ata nuk kanë mundur ta konfirmojnë një gjë të tillë në takime.

“Tash është një kohë kur vërejtjet tona nuk është e sigurt se do të përfshihen, sepse atje po thuhet se palët në debatin publik kanë të drejtë të japin komente. Por ne kemi përvoja se shumë nga kërkesat dhe vërejtjet që jepen në debatet publike nuk përfillen”, ka shtuar kreu i SBASHK-ut.

Ai ka thënë se është e vërtet ajo që kryeministrin Kurti e ka lutur si vëlla për ta gjetur një zgjidhje, teksa ka thënë se do ta mbajë fjalën për ta pyetur anëtarësinë.

“Në momentin kur kam dalë nga takimi më kanë pyetur a ka ndryshuar diçka, unë kam thënë jo jemi në grevë. Por, ne sonte do të debatojmë online me kryetarët e Komiteteve komunale dhe të universitete. Është e vërtetë që e kam lutur si vëlla dhe si kryeministër, që të flasim pa hile dhe e kam lutur bëje një lëvizje që ta nxjerrim sistemin arsimor nga greva”, ka nënvizuar Jasharaj.

Ai ka thënë se si SBASHK janë të angazhuar që të kenë arritje në dialog dhe që të tejkalohet kjo situatë.

“Qeveria Kurti nuk e bëri pakon 50 euro duke u bazuar në kërkesat tona sepse nuk na ka pyetur fare. Ai ka dalë me Pakot e Mbështetjes si zakonisht, për çka ne e përgëzojmë sepse edhe të tjerët kanë nevojë sikurse ne.  Ne, pakon 50 euro e prezantuam para anëtarësisë dhe ajo i tha jo. Ne shkuam dhe i thamë nëse 100 euro është problem, na thuaj a ka ndonjë mundësi tjetër. Jemi të sigurt se Qeveria po të dëshiroj mund ta mbulojë këtë 100 euro sepse 50 euro veçse janë. Pra është fjala edhe për një 50 euro tjetër. Por, prapë jemi të gatshëm për të dialoguar”, është shprehur Jasharaj.

Ai e ka lënë të hapur mundësinë që të pranojnë një ofertë me të vogël se 100 euro nga qeveria, por ka thënë se për këtë çështje nuk mund të flasë ai, por anëtarësia.

“Nëse Kurti do të na thoshte ‘po kam vullnet për të lëvizur nga ky 50 euroshi për hir të situatës’, ne do të bisedonim me anëtarësinë.  Por, tani e kemi një përgjigje të fuqishme ‘Jo’ karshi 50 eurove”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se greva do të vazhdojë, teksa përgjegjëse për situatën e krijuar e ka lënë Qeverinë. Jasharaj ka thënë se e ka marrë një detyrë për ta dëgjuar anëtarësinë prej 25 mijë vetash, e jo ata për ta dëgjuar atë. Madje, ka thënë se sikur ta kishte këtë forcë që do ta dëgjonte gjithë kjo masë, ai nuk do të qëndronte kryetar i Sindikatës, por do të kandidohej për deputet.