IPK nis hetimet për vdekjen e një personi pas ndërhyrjes policore në Lipjan
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me një incident që ndodhi pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku një person i dyshuar u raportua se ka vdekur pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.
Sipas komunikatës zyrtare të IPK-së, rasti është klasifikuar si “Hetim mbi vdekjen” dhe po trajtohet në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit. “Zyrtarët policorë kishin reaguar pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar, i cili më vonë është raportuar i vdekur”, thuhet në njoftim.
IPK ka bërë të ditur se njësitet relevante hetimore dhe prokurori kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetuesit e IPK-së kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vlerësuar reagimin e zyrtarëve policorë gjatë incidentit.