Intensifikohen ftesat nga Gjykata Speciale për ish-pjesëtarët e UÇK-së

28.02.2020

Gjykata Speciale ka vazhduar me ftesa për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së fundmi një ftesë të tillë e ka marrur edhe njëri nga pjesëtarët e rëndësishëm të UÇK-së, Gafurr Elshani të enjten u bë figura e radhës që u ftua nga Prokuroria Speciale e Hagës. Elshani u ftua në cilësinë e dëshmitarit, ku […]

Intensifikohen ftesat nga Gjykata Speciale për ish-pjesëtarët e UÇK-së Foto: Ilustrim

Gjykata Speciale ka vazhduar me ftesa për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së fundmi një ftesë të tillë e ka marrur edhe njëri nga pjesëtarët e rëndësishëm të UÇK-së, Gafurr Elshani të enjten u bë figura e radhës që u ftua nga Prokuroria Speciale e Hagës.

Elshani u ftua në cilësinë e dëshmitarit, ku nga Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) kanë konfirmuar se ardhja e ftesave të reja nga Gjykata Speciale së fundmi është intensifikuar.

Ndërsa njohësit e drejtësisë kanë vlerësuar se Gjykata Speciale brenda disa muajve mund të bëhet edhe ngritja e aktakuzave të para.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që janë përgjegjëse për hetimin e krimeve, të cilat supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe para luftës së viteve 1998 – 1999, kanë vazhduar me dërgimin e ftesave të reja në Kosovë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati kishte deklaruar se ne nuk do të rrijmë duar kryq nëse nisin arrestimet nga Gjykata Speciale, kështu duke nënkuptuar se do të ketë protesta të ashpra nga kjo Organizatë.

Po ashtu Gucati kishte thënë se gjykata vendëse por edhe ajo e Hagës e ka nxjerr UÇK-në fitimtare dhe kjo përpjekje e sërishme është e panevojshme dhe si e tillë po lëndon shumë njerëz në Kosovë.

“Personalisht unë dhe gjithë shokët e mi nuk ndihemi mirë kurrë, ne jemi si një familje në luftë. Kështu që unë nuk ndihma mirë kurrë në jetën time kur dëgjoj për një shok të luftës apo një veteran të UÇK-së që e ka ftuar Gjykata Speciale, dhe kjo është arsyeja se pse ne reagojmë, sepse ne e dimë që ka padrejtësi qe 20 vjet, këtu ka qenë e UNMIK-ut , EULEX-it, Gjykata jonë vendore dhe gjykata e Hagës ku ne kemi dalë fitimtar. Për sa do t’i ftojmë nuk e dimë, për sa janë ftuar e dimë, janë ftuar mbi 260 që na kanë lajmëruar para dhjetorit kanë qenë 250, tashmë 260 nga Gjykata Speciale, të dyshuar por edhe në cilësinë e dëshmitarëve’, tha ai.