IKSHPK thirrje qytetarëve të kenë kujdes me ushqimin në këto temperatura të larta

27.07.2021

Në Kosovë janë rikthyer temperatura tejet të larta ditëve të fundit. Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidmos te të moshuarit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka theksuar se duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të […]

IKSHPK thirrje qytetarëve të kenë kujdes me ushqimin në këto temperatura të larta Foto: Ilustrim

Në Kosovë janë rikthyer temperatura tejet të larta ditëve të fundit.

Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidmos te të moshuarit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka theksuar se duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtIt që çon në dehidrim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale.

Po ashtu Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit.

IKSHPK përmes një njoftimi ka bërë të ditur se shumë herë janë ballafaqur me helmime me ushqim, ku qytetarët për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital.

Ky insititut kërkon nga qytetarët që t’i shmangin produktet që konsiderohen të rrezikshme gjatë këtyre temperaturave të larta dhe ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë.

Njoftimi i plotë:

Qytetarë të dashur!

Ju lutemi për kujdes të shtuar gjatë gatimit, ruajtes, shpërndarjes dhe konsumit tëushqimit!

Shumë herë jemi ballafaquar me helmime me ushqim, ku qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital, të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë.

Kujdes i shtuar ku konsumohet ushqimi!

Shmangia e konsumimit të mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht!

Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, majonezë, salcat e ndryshme, etj.

Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier!

Shmangia e konsumimit të frutave dhe perimeve të palara.

Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë.

Konsumoni qumësht të pasterizuar ose të zier. Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm.

Ushqimi i mbetur të ruhet në frigorifer.Ushqimi i ngrirë i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet dhe nuk duhet të ringrihet!

Duart duhet të lahen:
-para se të filloni të përgatisni ushqimin
-pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet
-pas përdorimit të tualetit
-pasi të pastroni hundën
-pasi të prekni një kafshë
-pasi të prekni ndonjë plagë apo prerje në trup.

MOS HANI USHQIM KUDO!

PAKUJDESIA SHKAKTON EPIDEMI ME RREZIK PËR JETËN E QYTETARËVE!