IKD: Dita e Punës, një bilanc zhgënjyes për të drejtat sociale dhe sigurinë e punëtorëve në Kosovë

01.05.2025

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në raportin e publikuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, konstaton me shqetësim dështimin e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të ndërmarrë veprime të duhura në fushën sociale, përfshirë miratimin dhe zbatimin e ligjeve jetike për punëtorët dhe mirëqenien e qytetarëve.

Sipas IKD-së, Qeveria e dalë nga legjislatura e tetë jo vetëm që nuk ka miratuar shumicën e ligjeve në fushën sociale, por ka dështuar edhe në zbatimin e atyre ekzistuese, duke mos siguruar mbrojtje kolektive për punëtorët. Paralelisht, Kuvendi ka dështuar të zgjedhë përfaqësues të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale dhe nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive ndaj Qeverisë. Shifrat alarmante flasin vetë: 263 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, me 12 viktima në vitin 2024 dhe 10 të tjera në pesë muajt e parë të këtij viti.

Dështimi në miratimin e ligjeve sociale: Qeveria ka neglizhuar miratimin e projektligjeve bazike si Ligji i Punës, Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe Ligji për Inspektoratin e Punës. Miratimi i vonuar dhe i përshpejtuar i Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe atij për Banim Social, pa përfshirjen e opozitës, ka çuar në dërgimin e tyre në Kushtetuese.

Mosdialogu social dhe rritja arbitrare e pagës minimale: Qeveria ka shmangur dialogun social dhe ka rritur pagën minimale në mënyrë arbitrare në 350 euro, duke shkelur procedurat ligjore dhe pa konsultime publike.

Mungesa e mbrojtjes kolektive dhe mosfunksionalizimi i Këshillave: Qeveria ka dështuar të nënshkruajë marrëveshje të përgjithshme kolektive me BSPK-në dhe marrëveshje sektoriale me sindikatat. Ministritë e Arsimit dhe Shëndetësisë kanë ndërprerë ose neglizhuar marrëveshjet kolektive. Këshilli Ekonomik-Social (KES) dhe Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë janë lënë të mosfunksionojnë, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë në vendin e punës.

IKD rekomandon legjislaturës së re dhe qeverisë së ardhshme që miratimin e ligjeve sociale dhe forcimin e mbikëqyrjes së zbatimit të tyre ta bëjnë prioritet, duke i kushtuar rëndësi të veçantë sigurisë në punë dhe të drejtave të punëtorëve. Numri i lartë i viktimave në vendin e punës duhet të shërbejë si kambanë alarmi për veprim urgjent.