IKD: Asnjë program politik nuk ofron qasje të plotë për qeverisje të mirë

23.12.2025

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin e tij më të ri me titull “Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit në programet e partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit”.

Sipas raportit, asnjë nga programet e partive politike nuk ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit në vend.

Gëzim Shala nga IKD-ja, gjatë një konference për media të martën, tha se vlerësimi është bazuar mbi dhjetë indikatorë që lidhen drejtpërdrejt me qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.

Në këtë bazë, sipas Shalës, partitë renditen në mënyrë të përgjithshme në poentimin 50-pikësh si vijon: AAK-ja renditet e para me 13 pikë, e ndjekur nga LDK-ja me 11 pikë, Lëvizja Vetëvendosje me 9 pikë, ndërsa PDK-ja renditet e fundit me 6 pikë.

IKD nënvizon se rezultatet tregojnë nevojën për një angazhim më të madh të partive politike për të integruar në mënyrë efektive elemente të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit në programet e tyre, për të ofruar një vizion të qartë për qytetarët dhe për të avancuar demokracinë në Kosovë.