I humbur prej 9 ditësh, vazhdon kërkimi për Florijan Tabakun, person me nevoja të veçanta

29.10.2025

Vazhdon operacioni i kërkim-shpëtimit për Florijan Tabakun, një person me nevoja të veçanta nga Tropoja, i cili është raportuar i zhdukur që nga data 20 tetor 2025, gjatë mbledhjes së gështenjave në territorin e Kosovës.

Me kërkesë të Prokurorisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ka angazhuar ekipe të shumta në terren për gjetjen e tij.

Operacioni po zhvillohet në zona malore dhe të izoluara, duke përballuar terrenin e vështirë dhe kushtet atmosferike të pafavorshme.

Autoritetet bëjnë thirrje tek qytetarët që, nëse kanë informacion rreth vendndodhjes së personit të humbur, ta njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës ose ekipet e kërkim-shpëtimit.

Operacioni vazhdon pa ndërprerje, ndërsa siguria dhe mirëqenia e Florijan Tabakut mbetet prioritet për të gjitha institucionet e përfshira.

Rikujtojmë se Ekipet e Kërkim-Shpëtimit në Kosovë janë angazhuar tash e gjashtë ditë për të gjetur Florijan Tabakun.