Gucati: UÇK-ja s’ka qenë ushtri kriminale, por ushtri çlirimtare
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë fjalimit të tij para protestuesve në Shkup.
Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur në protestë, Gucati ka theksuar se qëllimi i tubimit është t’i përcillet Evropës dhe komunitetit ndërkombëtar mesazhi se UÇK-ja ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe çlirimtare.
“Sot jemi mbledhur këtu për t’i treguar partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut se UÇK nuk ka kryer krime. UÇK ka qenë një ushtri çlirimtare që mbrojti kombin e vet dhe qytetarët e saj”, ka deklaruar Gucati.
Ai shtoi se protesta ka për qëllim ngritjen e zërit kundër, siç u shpreh ai, padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar rëndësinë e unitetit kombëtar.
“Ne jemi këtu për të ngritur zërin, siç e bëjmë në çdo protestë, duke bashkuar shqiptarët ashtu siç bëri edhe Skënderbeu në kohët më të vështira”, tha Gucati.
Kryetari i OVL-UÇK-së kritikoi edhe formimin e Gjykatës Speciale, duke deklaruar se ajo është krijuar mbi pretendime të pavërteta ndaj UÇK-së.
“Kjo gjykatë është formuar nga një individ i çmendur, i cili në vitin 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin dhe Këshillin e Evropës, duke pretenduar se UÇK ka kryer krime. Por ne jemi këtu për të treguar se e vërteta është ndryshe”, përfundoi Gucati.