Greva vazhdon, anëtarësia e SBASHK-ut refuzon propozimin e deputetit Gola

24.09.2022

Propozimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, njëherit edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim ka dhënë një propozim që fëmijë të mos dëmtohen dhe të filloj mësimi, si ide që SBASHK-ut të përdorë metodën e mos vënies së notave, si formë presioni sindikal ndaj qeverisë. Ky propozim u diskutua në mbrëmjen e djeshme […]

Greva vazhdon, anëtarësia e SBASHK-ut refuzon propozimin e deputetit Gola Foto: Ilustrim

Propozimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, njëherit edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim ka dhënë një propozim që fëmijë të mos dëmtohen dhe të filloj mësimi, si ide që SBASHK-ut të përdorë metodën e mos vënies së notave, si formë presioni sindikal ndaj qeverisë.

Ky propozim u diskutua në mbrëmjen e djeshme në një mbledhje online mes Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK), deputeti Gola si dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit pë Arsim.

Por, ky propozim lidhur me ndaljen e grevës, nuk është pranuar nga anëtarësia e SBASHK-ut.

“Është e vërtetë që është problem ta gjejmë një zgjidhje. Argumenti shkencor i profesorit Kokaj është jetik. A kishim mundur për në vend të fëmijëve me i marr notat, dhe me bo si presion sindikal. Mos me vendos nota, mos me formalizu dijen e cila transmetohet tek fëmijët, deri në momentin që do të bëhet një zgjidhje. Jam shumë i sigurt që zgjidhje në këtë forum në këtë masë të njerëzve është problem me gjet zgjidhje”, ka thënë  Gola.

Sipas tij, kjo formë do të ishte më e drejtë, duke shtuar se do të jetë me SBASHK-un deri në arritjen e kërkesave të tyre, nëse do ta aplikojnë këtë formë të presionit sindikal.

“Mos më jepni përgjigje tash, ju kisha lut si prind dhe mësimdhënës që deri sa të arrihet një marrëveshje, që fëmijët t’i kthejmë në proces mësimor, dhe mos t’ua vendosim notat dhe ditëve në vijim të intensifikojmë qeverinë me sindikata dhe gjatë kohës pashmangshëm do i afrohemi një zgjidhje. T’i përdorim notat si formë të presionit sindikal”, tha ndër të tjera Gola.

Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, në një prononcim për Telegrafin tha se 663 shoqata kanë qenë kundër këtij propozimi, 39 e kanë pranuar, ndërsa 35 të tjera nuk janë deklaruar.

“Ka qenë një takim me kryetarët e sindikatave komunale bashkë me kryetarin e Komisionit për Arsim, Ardian Golën dhe disa nga anëtarët e Komisionit. Është diskutuar për propozimin e deputetit Gola dhe rezultati ka dëshmuar që një numër i madh prej 663 shoqatash e kanë refuzuar, 39 shoqata e kanë pranuar, ndërsa nuk janë deklaruar edhe 35 shoqata dhe një komunë nuk e kemi pasur rezultatin sepse kryetari ka pasur pengesa me internet dhe nuk ka mundur të kyçet”, deklaroi Ymeri.

Ai tutje tha se arsyetimi i shoqatave që e kanë refuzuar propozimin e Golës është se kur të përfundojë greva nuk është etike që nxënësit të mos notohen.

Ymeri për Telegrafi shtoi se në këtë takim virtual i kanë lutur deputetët që të vazhdojnë angazhimin dhe të bisedojnë me Qeverinë për gjetjen e një zgjidhje, në mënyrë që nxënësit të kthehen në bankat shkollore.