Goditet kontrabanda në kufi me Serbinë, sekuestrohen 155 kilogramë duhan në Kamenicë
Policia e Republikës së Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm kundër kontrabandës në zonën kufitare me Serbinë, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme duhani dhe duke ndaluar një person të dyshuar.
Ngjarja ka ndodhur më 28 prill 2026 në fshatin Novosellë të Kamenicës, në kuadër të planit operativ “Gatishmëria vepruese 2026”.
Pas informatave operative dhe në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të SP Kamenicë, njësitet e Policisë Kufitare kanë ndërmarrë një aksion të koordinuar, ku kanë ndaluar një automjet të tipit VW Golf 5.
Automjeti drejtohej nga një shtetas i Serbisë, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës me qëllim kontrabandimin e mallrave.
Gjatë kontrollit, policia ka zbuluar dhe sekuestruar 310 pako duhan nga 500 gramë secila, me peshë totale rreth 155 kilogramë, si dhe 41 paketime të zbrazëta të destinuara për treg ilegal.
Dyshohet se duhani ishte planifikuar të shpërndahej në tregun e zi, duke shmangur procedurat doganore për përfitim të kundërligjshëm.
Rasti po hetohet në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për luftimin e kontrabandës dhe krimit ndërkufitar.

