Goditet grupi që trafikonte armë nga Kosova në Shqipëri, 10 të arrestuar

30.05.2025

Një operacion i gjerë i Policisë së Tiranës ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Kosova drejt kryeqytetit shqiptar.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se janë arrestuar 10 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar një arsenal të konsiderueshëm armësh dhe municionesh, konkretisht:

  • 14 armë zjarri
  • 2077 fara kanabisi
  • Krehra dhe municion luftarak
  • 3 automjete
  • 8 celularë

Hetimet e kryera kanë zbuluar se pjesëtarët e këtij grupi siguronin armë kryesisht në Kosovë, por edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre në Tiranë.

Në njoftimin e policisë theksohet se: “Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: E. T., 32 vjeç, L. H., 21 vjeç, F. B., 26 vjeç, R. H., 21 vjeç, V. M., 23 vjeç, K. F., 18 vjeç, G. M., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç.”

Sipas hetimeve, të arrestuarit dhe ata në kërkim dyshohet se pas sigurimit të armëve në Kosovë dhe qytete të tjera shqiptare, i transportonin ato në Tiranë për t’i shitur.

Policia kujton gjithashtu se gjatë hetimeve, më 1 prill 2025, janë ndaluar në flagrancë shtetasit A. P dhe K. P., të cilët u kapën me dy armë zjarri, të dyshuara si të trafikuara nga Kosova me destinacion Tiranën.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. F, u gjetën dhe sekuestruan edhe 2077 fara kanabisi.

Autoritetet bëjnë të ditur se po punohet intensivisht për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.