Gjykata Supreme shfuqizon Udhëzimin për arkat fiskale digjitale, Murati: Vendim absurd
Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale digjitale, duke e ndalur përkohësisht procesin e digjitalizimit të sistemit të fiskalizimit në vend.
Foto: Ilustrim
Ky vendim ndikon drejtpërdrejt në implementimin e iniciativës për modernizimin e administratës tatimore, e cila parashihte kalimin nga arkat tradicionale fiskale në sisteme digjitale, të ngjashme me ato që tashmë janë në funksion në shumicën e vendeve të rajonit.
Lidhur me këtë zhvillim, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar publikisht duke e konsideruar vendimin e Gjykatës Supreme si një pengesë për reformat që, sipas tij, synonin reduktimin e kostove për bizneset dhe eliminimin e monopolit në tregun e arkave fiskale. Sipas Muratit, sistemi ekzistues është i vjetëruar dhe i kushtueshëm për bizneset tatimpaguese, ndërsa digjitalizimi pritej të sillte efikasitet dhe ulje të shpenzimeve.
Murati ka përmendur se udhëzimi i shfuqizuar kishte për qëllim të zëvendësonte një sistem të vendosur më parë, në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, sistem të cilin ai e cilëson si monopol që rëndon bizneset me kosto të larta.
Ai ka shtuar gjithashtu se pezullimi i këtij procesi do t’i kushtojë bizneseve mbi 5 milionë euro në vit, për shkak të nevojës për të vazhduar përdorimin e arkave fiskale të vjetra.
Nga ana tjetër, Gjykata Supreme ende nuk ka dhënë një arsyetim publik të detajuar për vendimin e saj, ndërsa vendimi është marrë nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët Delushe Halimi, Lumni Sallauka dhe Franciska Zhitija-Ymeri.
Procesi i digjitalizimit të fiskalizimit ishte një nga iniciativat kyçe të Ministrisë së Financave në përpjekje për të modernizuar shërbimet dhe për të lehtësuar raportimin tatimor për bizneset në Kosovë. Me këtë vendim, e ardhmja e këtij procesi mbetet e paqartë.