Gjykata Supreme liroi nga paraburgimi katër serbët e arrestuar për armë në Gjakovë
Ata ishin arrestuar më 5 prill në Gjakovë nën dyshimin e kryerjes në bashkëkryerje të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu. Sipas njoftimit të mëhershëm të Gjykatës, arrestimi i të dyshuarve kishte ndodhur pas ndalimit […]
Ata ishin arrestuar më 5 prill në Gjakovë nën dyshimin e kryerjes në bashkëkryerje të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
Sipas njoftimit të mëhershëm të Gjykatës, arrestimi i të dyshuarve kishte ndodhur pas ndalimit të automjetit të tyre për shkak të tejkalimit të shpejtësisë. Gjatë kontrollit, policia kishte konstatuar se ata posedonin armë të ftohta.
Më 7 prill 2025, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës dhe kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për secilin prej të pandehurve.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhej se ekziston dyshimi i bazuar që të pandehurit, gjatë një vizite të organizuar në disa manastire ortodokse në Kosovë, kishin poseduar në bashkëkryerje një sëpatë, një thikë me këllëf dhe një thikë sharrë, duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët. Mjetet e mprehta ishin gjetur në automjetin e tyre pas ndalimit nga policia për shkak të shpejtësisë së tejluar.
Me vendimin e fundit të Gjykatës Supreme, masa e paraburgimit për katër të pandehurit serbë është anuluar, ndërsa procedura ligjore ndaj tyre pritet të vazhdojë në fazat e tjera. Arsyet e detajuara të vendimit të Supremes ende nuk janë bërë publike.