Gjygji ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë: Prokuroria ka përfunduar me provat, mbrojtja bëhet gati për hapat vendimtarë
Prokuroria Speciale në Hagë ka përfunduar paraqitjen e provave në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Lajmin e ka bërë të ditur për Front Online, avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, duke theksuar se procedura tani ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare.
Sipas avokatit Qerkini, i gjithë procesi tashmë është në fazën e shqyrtimit të mocioneve që pritet të ushtrojë mbrojtja. Këto mocione, të njohura si mocione sipas rregullës 130, kërkojnë rrëzimin e disa pikave të aktakuzës, për të cilat pala mbrojtëse pretendon se prokuroria nuk ka arritur të ofrojë prova të mjaftueshme që i vërtetojnë ato përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Procedura ndodhet në fazën e shqyrtimit të mocioneve të mbrojtjes për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës, të cilat prokuroria nuk ka arritur t’i provojë përtej dyshimit të arsyeshëm,” ka deklaruar Qerkini.
Ky zhvillim pason një fazë të gjatë të prezantimit të provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila ka filluar me nisjen e gjykimit më 3 prill 2023. Gjatë kësaj periudhe, prokuroria ka thirrur dhjetëra dëshmitarë dhe ka paraqitur mijëra dokumente si prova materiale.
Hapat e ardhshëm në këtë proces gjyqësor të profilit të lartë do të varen nga vendimi i trupit gjykues lidhur me mocionet e mbrojtjes.
“Pas marrjes së vendimit lidhur me këto mocione, mbrojtja do të vendosë nëse do të thërrasë dëshmitarë dhe sa do të jetë numri i tyre,” ka shpjeguar avokati Qerkini. “Vetëm pas administrimit të provave nga ana e mbrojtjes, trupi gjykues do të tërhiqet për marrjen e aktgjykimit.”
Kjo do të thotë se pas vendimit për mocionet, do të hapet rruga për fazën e prezantimit të provave nga mbrojtja, nëse ekipet mbrojtëse të të akuzuarve vendosin të thërrasin dëshmitarët e tyre. Pas kësaj faze, do të pasojnë fjalët përfundimtare të palëve, para se gjykatësit të tërhiqen për të marrë vendimin final.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar vazhdimisht duke u deklaruar të pafajshëm. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.