Gjendet granatë dore në Rahovec, intervenon FSK-ja

17.12.2025

Një mjet i dyshimtë i pashpërthyer është raportuar sot rreth orës 11:05 në rrugën “Bekim Isma” në Rahovec, gjatë kryerjes së punimeve në terren.

Sipas Policisë së Kosovës, ankuesi, një mashkull kosovar, ka njoftuar autoritetet pasi gjatë punimeve me ekskavator ka hasur në një mjet për të cilin dyshohej se ishte mjet shpërthyes, konkretisht granatë dore.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë sigurimin e perimetrit, duke pamundësuar qasjen e qytetarëve në zonë, për arsye sigurie.

Në vendngjarje ka intervenuar edhe njësiti për deminim i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili, sipas procedurave standarde, ka realizuar demolimin dhe shpërthimin e kontrolluar të mjetit shpërthyes.

Policia bën të ditur se rasti ka përfunduar pa incidente dhe nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa situata është vënë plotësisht nën kontroll.