FSK merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Winter EX 2025” në Turqi
Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i është bashkuar ushtrimit ndërkombëtar “Winter EX 2025”, të udhëhequr nga Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë (FART).
Pjesëmarrja e FSK-së në këtë aktivitet realizohet në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe ftesës zyrtare të pranuar nga FART.
“Winter EX 2025” është një ushtrim fushor shumëpalësh që përfshin një pjesëmarrje të gjerë nga vendet partnere, agjencitë e sigurisë, organizatat qeveritare dhe joqeveritare të Turqisë. Fokusi kryesor i tij është aspekti operacional dhe taktik në kushte të motit ekstrem, duke u zhvilluar brenda kufijve territorialë të Turqisë.
Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim ka si qëllim ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve operacionale dhe profesionale të njësive të saj. Njëkohësisht, kjo përvojë do të ndihmojë në rritjen e ndërveprueshmërisë në operacionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar më tej marrëdhëniet me aleatët strategjikë.
Ky angazhim përfaqëson një hap të rëndësishëm për FSK-në drejt përgatitjes për sfida globale dhe përmirësimit të aftësive në menaxhimin e operacioneve në kushte të ndërlikuara.