FSK pjesë e stërvitjes më të madhe vjetore të ushtrisë amerikane

06.05.2021

Me 330 ushtarë do të jetë pjesë e stërvitjes “Defender-Europe 21” Forca e Sigurisë së Kosovës. Në “Defender Europe 21”, marrin pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë. Ushtrimet e së cilës në Kosovë do të zhvillohen nga data 17 deri më 29 maj, ku Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të […]

FSK pjesë e stërvitjes më të madhe vjetore të ushtrisë amerikane Foto: Ilustrim

Me 330 ushtarë do të jetë pjesë e stërvitjes “Defender-Europe 21” Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në “Defender Europe 21”, marrin pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë.

Ushtrimet e së cilës në Kosovë do të zhvillohen nga data 17 deri më 29 maj, ku Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Babaj të Bokës” në komunën e Gjakovës.

“Defender Europe 21” është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane e që do të marrë pjesë edhe Kosova e cila është njëra prej 16 vendeve pritëse.

Për pjesëmarrjen e Kosovës në “Defender Europe 21” ka folur edhe gjenerallejtënant Rrahman Rama, ku edhe ka treguar qëllimet kryesore të FSK-së si pjesëmarrëse e një stërvitje të tillë.

“Objektivat kryesore të këtij ushtrimi ‘Defender Europe 2021’, janë ngritja e zhvillimit dhe ndërveprueshmërisë me partnerët, validimi i aftësive të këmbësorisë, të një kompanie tanë, aftësimi i ekipeve tona për validim në të ardhmen, dhe ndërvepruehsmëria e inteligjencës në vendet partnere”, tha Rama.

Në një konferencë për media, gjeneral Rama bëri të ditur se tashmë mbi 95% e aktiviteteve janë koordinuar dhe nga 10 maji fillon ardhja e ushtarëve nga vendet partnere.

Ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se pjesëmarrja e FSK-së në “Defender-Europe 21”, dhe fakti që është një prej 16 vendeve pritëse, dëshmon partneritetin e fuqishëm që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes për stërvitjen “Defender Europe 21″:

Sot Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj i shoqëruar edhe nga Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, mbajtën Konferencë për media me tematik: Ushtrimi ushtarak “DEFENDER – Europe 21” dhe Kosova.

Ministri Mehaj në fjalën e tij paraqiti rëndësinë e këtij ushtrimi për FSK-në dhe Kosovën, duke theksuar faktin se bashkëveprimi i FSK-së në një ushtrim të përmasave të tilla me ushtrinë e SHBA-ve aletit tonë kryesor strategjik dhe vendeve tjera aleate, është një ngjarje shumë e rëndësishme.

“Kjo stërvitje ka ndikim të jashtëzakonshëm në mjedisin e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe shpreh fuqishëm qëllimin strategjik dhe përkushtimin e SHBA-së dhe aleatëve të saj, në mesin e tyre edhe Kosovës, për një Ballkan dhe Evropë, në paqe, siguri dhe stabilitet.

Stërvitja “DEFENDER-Europe 21” na ofron mundësinë më të mirë për të rritur aftësitë tona së bashku me SHBA-në dhe aleatët e partnerët tjerë, në mënyrë që të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo lloj krize.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje si vend partner i SHBA-së, është ngjarje e rëndesishme që dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë, përmes gatishmërisë dhe ndërveprimit ushtarak të FSK-së me forcat amerikane dhe forcat e vendeve partnere”, tha minsitri Mehaj.

Ndërsa në fjalën e tij komandanti i FSK-së u përqendrua te objektivat e ushtrimit, nivelin e përgatitjeve, gatishmërinë e trupave për ndërveprim dhe koordinim me ushtritë tjera në teren dhe objektivat që priten të arrihen.

“Ky ushtrim ka për qëllim të ndërtojë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprueshmërinë mes gjithë aleatëve dhe partnerëve. Përfshirja e FSK-së në këtë ushtrim ka domethënie të madhe, pjesëmarrja e FSK në këtë ushtrim ngritë aftësitë e personelit tonë në kryerjen e detyrave.

Pjesëmarrja në këtë ushtrim demonstron aftësinë e vendit për të shërbyer si partner strategjik i sigurisë në regjion dhe më gjerë. FSK do të vazhdon të jetë pjesë e ushtrimeve dhe trajnimeve ndërkombëtare për të ngritur aftësitë e veta operacionale dhe të jetë e ndërveprueshme me partner”, tha komandant Rama.

Kosova në këtë ushtrim do të jetë në mesin e 16 vendeve pritëse. FSK është e përfshirë me 330 pjesëtar. Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021.

Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Babaj të Bokës” në komunën e Gjakovës.

Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do t’a bëjë ekipi vlerësues i KDS në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade SFAB).