FSK hap konkurs për kadetë të rinj, të cilët do të studiojnë në Akademinë e Forcave Ajrore e Ushtarake në SHBA

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për studime, në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Akademinë Ushtarake-WEST POINT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Këtë njoftim Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës e ka bërë përmes një postimi në facebook ku thuhet se studimet mbahen në gjuhën angleze dhe zgjasin katër vite.

“Është e dëshirueshme që kandidati të ketë të përfunduar testin TOEFL dhe testin SAT. Kandidatët do të nominohen nga Ministria e Mbrojtjes si kandidatë konkurrent për studime. Kadetët pas përfundimit të shkollimit do të emërohen oficer në FSK, në kohëzgjatje minimale të obligueshme, prej gjashtë (6) viteve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, të drejtë aplikimi kanë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës pa dallim kombi, race, dhe gjinie, të moshës 18-22 vjeç.

Në njoftim thuhet se konkursi është i hapur prej datës 7 deri më 20 tetor 2020.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.