Fraser përfundon dëshminë në Speciale, ngre shqetësime për cilësinë e incizimeve audio

12.05.2026

Ekspertja e linguistikës forenzike, Helena Fraser, ka përfunduar dëshminë e saj në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në kuadër të gjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në rastin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjatë rimarrjes në pyetje nga mbrojtja e Thaçit, Fraser deklaroi se një pjesë e konsiderueshme e incizimeve audio kanë qenë të padeshifrueshme për shkak të cilësisë së dobët të zërit.

Ajo theksoi rëndësinë e përdorimit të informacionit kontekstual nga burime të jashtme gjatë procesit të zbardhjes së materialeve audio, duke shtuar se ky informacion duhet të jetë i besueshëm dhe analistët të jenë të pavarur.

“Çdo karakteristikë ç’orientuese e informacionit kontekstual mund të ndikojë në transkriptim dhe më pas gabimet janë shumë më të vështira për t’u korrigjuar”, deklaroi Fraser para trupit gjykues.

Ekspertja australiane kishte nisur dëshminë e saj një ditë më parë si dëshmitare e mbrojtjes.

Përveç Thaçit, në këtë rast janë të akuzuar edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi.Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026.