Fluturimi Hamburg-Prishtinë, Aliu: Pas uljes emergjente në Beograd, pasagjerët u rikthyen në Gjermani

29.12.2024

Përditësim mbi fluturimin EW5704 të “Eurowings” që bëri ulje emergjente në Beograd

Pas uljes emergjente të fluturimit Hamburg-Prishtinë në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka ndarë detaje të reja mbi situatën në një postim në Facebook.

Fluturimi i nisur në orën 14:30 nga Hamburgu, me 155 udhëtarë në bord, u detyrua të devijonte për shkak të një defekti teknik. Pas uljes emergjente, kompania ajrore “Eurowings” ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të siguruar vazhdimin e udhëtimit të pasagjerëve.

Një aeroplan alternativ, me numër fluturimi EW6005, u dërgua nga “Eurowings” për të marrë udhëtarët në Beograd. Ky fluturim ka nisur nga aeroporti “Nikola Tesla” në orën 22:56, duke transportuar pasagjerët drejt qytetit të Kölnit në Gjermani. Arritja në këtë destinacion është planifikuar rreth orës 00:45 pas mesnatës.

Autoritetet kosovare, në bashkëpunim me aeroportin e Prishtinës dhe operatorin ajror, kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve. Fluturimi i mëtejshëm për në Kosovë pritet të organizohet nga “Eurowings” sipas procedurave standarde të aplikuara në raste të tilla.

Ministri Aliu ka njoftuar gjithashtu se informacione të tjera do të publikohen pas hetimeve të mëtejshme dhe njoftimeve zyrtare nga operatori ajror.