Ministri Aliu: Fluturimet me pilotë të certifikuar kanë aterruar me sukses, të tjerat janë anuluar ose devijuar
Pas raportimeve për vonesa dhe anulime të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” si pasojë e mjegullës së dendur, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, ka dhënë informacione mbi gjendjen aktuale të operacioneve në aeroport.
Sipas ministrit, aeroporti është i pajisur me sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson operime edhe në kushte të mjegullës së dendur, me dukshmëri minimale deri në 50 metra.
Ministri ka sqaruar se fluturimet me pilotë të certifikuar për këtë teknologji kanë vazhduar normalisht, ndërsa ato pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.
Në 24 orët e fundit, janë realizuar 46 fluturime në ardhje dhe shkuarje, ndërsa 12 fluturime të planifikuara për ardhje janë anuluar. Sipas listës së publikuar më parë nga aeroporti, fluturimet e disa linjave ajrore, përfshirë Pegasus, Austrian Airlines dhe Condor, janë ndikuar nga situata, duke sjellë anulime dhe shtyrje për destinacione si Stambolli, Viena dhe Mynihu.
Mjegulla e dendur ka krijuar sfida për menaxhimin e trafikut ajror dhe për uljen e sigurt të aeroplanëve. Aeroporti ka theksuar se teknologjia e avancuar dhe përgatitja teknike janë në funksion të plotë, ndërsa certifikimi i pilotëve mbetet faktor kyç për realizimin e fluturimeve në kushte të tilla atmosferike.
Pasagjerëve u këshillohet të ndjekin njoftimet nga kompanitë ajrore dhe autoritetet aeroportuale për të marrë informacion të saktë dhe të përditësuar mbi itineraret e tyre.