Zgjedhja e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, Liburn Aliu jep dorëheqje nga pozita e ministrit

27.08.2025

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar sot dorëheqjen nga kjo pozitë.

Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Aliu tha se vendimi i tij lidhet me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjes së kryetarit të këtij institucioni.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit të kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim,” shkroi ai.

Aliu shtoi se, sipas tij, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk përputhet me idealin që ai kishte për Republikën.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua,” ka theksuar ai.

Nga ana e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka një reagim zyrtar lidhur me dorëheqjen e Aliut dhe nuk është bërë e ditur se kush do ta udhëheqë përkohësisht ministrinë.