Elezi: Deri tani dhjetë subjekte politike kanë aplikuar për certifikim

11.08.2025

Dhjetë subjekte politike, mes tyre dy iniciativa qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur, kanë dorëzuar aplikimet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve. Sipas tij, deri tani këto subjekte politike kanë paraqitur gjithsej 64 kandidatë, prej të cilëve pesë garojnë për kryetarë komunash dhe 59 për anëtarë të kuvendeve komunale.

Elezi ka sqaruar se Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka nisur procedurat ligjore për verifikimin e kandidatëve në bashkëpunim me institucionet shtetërore përkatëse. Rekomandimet e përgatitura për certifikim do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës së KQZ-së, ku do të merren vendime të veçanta për secilin aplikim.

Ai ka theksuar gjithashtu se subjektet politike kanë të drejtë të zgjedhin në cilat komuna do të marrin pjesë dhe nëse do të garojnë vetëm për kryetar komune, vetëm për kuvend komunal ose për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar.