Dyshohet për kontrabandë me gjedhe nga Serbia – tre persona kapen në flagrancë

03.11.2025

Një rast i kontrabandimit me mallra është zbuluar mbrëmjen e së dielës në fshatin Hajkobillë të Prishtinës, ku policia ka kapur në flagrancë tre persona duke ngarkuar gjedhe në një kamion me targa vendore.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 18:00, kur njësiti policor, gjatë patrullimit në terren, ka vërejtur tre të dyshuar meshkuj kosovarë duke ngarkuar në kamion tre krerë gjedhe – dy lopë dhe një viç.

Gjatë verifikimit të kafshëve, është konstatuar se njëra nga lopët kishte numër matrikulimi të Serbisë, ndërsa dy të tjerat nuk posedonin asnjë shenjë identifikuese, çka ka ngritur dyshime për kontrabandim të kafshëve nga territori i Serbisë në Kosovë.

Lidhur me rastin janë njoftuar Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, kamioni dhe gjedhët janë konfiskuar dhe janë dërguar në terminalin doganor, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës, për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.