Dy vjet nga vrasja e Liridona Ademajt, familja kërkon drejtësi dhe dënim meritor për të dyshuarit
Sot bëhen dy vjet nga ngjarja që tronditi Kosovën – vrasja e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Ajo u vra tragjikisht ndërsa ndodhej në veturë së bashku me dy fëmijët e saj dhe bashkëshortin, Naim Murselin, i cili dyshohet se e kishte porositur ekzekutimin.
Foto: Ilustrim
Hetimet për rastin nisën menjëherë pas ngjarjes, ndërsa procesi gjyqësor ka filluar në fillim të vitit 2025. Më 15 janar 2025, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj katër të dyshuarve:
- Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës,
- Granit Plava,
- Kushtrim Kokalla,
- Tom Dodaj.
Të gjithë janë të akuzuar për përfshirje në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes së Liridona Ademajt, ngjarje që shkaktoi indinjatë të madhe publike dhe reagime të shumta në vend e diasporë.
Postimi prekës i vëllait të Liridonës në dyvjetor
Në përvjetorin e dytë të kësaj ngjarjeje të rëndë, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka bërë një postim emocional në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen e familjes dhe kërkesën e palëkundur për drejtësi.
“Sot bëhen 2 vite që nga ikja jote, Motër. Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote vërehet në çdo kohë. Këto 2 vite nuk ishin të lehta për ne si familje, nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin që ti nuk je më në mesin tonë”, shkroi ai.
Ai vazhdoi me fjalë të forta që pasqyrojnë plagën ende të hapur të familjes:
“Na ka marrë malli shumë për prezencën tënde, asgjë më nuk është e njëjtë. Vitet po ecin shpejt e ne akoma po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty, motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar.”
Postimin ai e mbylli me një kujtim të ngrohtë dhe të dhimbshëm:
“Të kujtojmë me mall e shumë dashuri – Familja Ademaj dhe djemtë, Diar & Dion”.
Dy fëmijët e Liridonës – jetë në kujdes shtetëror
Liridona Ademaj ka lënë pas vetes dy djem të mitur, të cilët, pas vrasjes së saj dhe zhvillimeve të mëvonshme, janë vendosur nën kujdesin e shtetit të Suedisë, ku vazhdojnë jetën e tyre larg vendlindjes dhe familjarëve nga ana e nënës.
Dy vjet pas kësaj ngjarjeje tragjike, familja Ademaj vazhdon të kërkojë drejtësi, ndërsa shoqëria kosovare e mban mend Liridonën si një grua dhe nënë e cila humbi jetën në një akt të rëndë kriminal që ende po trajtohet nga drejtësia.