Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt – Shfaqen pamjet e ditës kritike në gjykatë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, ku po shfaqen video-incizimet e ditës kur u vra tani e ndjera Liridona Ademaj. Pamjet tregojnë lëvizjet e të akuzuarve dhe rrjedhën e ngjarjes në ditën kritike.
Foto: Ilustrim
Sipas prokurores Javorka Perlinçeviq, fillimisht janë paraqitur pamjet e 29 nëntorit 2023 nga shtëpia e Naim Murselit, ku shihet ai duke dalë nga objekti. Më pas, tek pompa e derivateve në fshatin Cermjan, shfaqet Granit Plava, e më pas Naim Murseli me veturën e tipit “Range Rover”.
Pamjet më pas tregojnë momentin kur tani e ndjera Ademaj arrin në shtëpinë e saj në Bërnicë. Incizimet kapin gjithashtu veturën “Seat” të Plavës dhe më pas “Range Rover”-in e Murselit, ndërkohë që të dy të akuzuarit dalin nga veturat. Në pamje shihet se Murseli afrohet tek Plava, i flet diçka dhe më pas shkon në dyqan, duke i dhënë më pas një pije energjike Plavës.
Pamjet e rrugës “Dalip Alshiqi” në Bërnicë tregojnë momentin e ngjarjes. Në to shihet se vetura “Range Rover” arrin e para në vendin e ngjarjes dhe tre sekonda më pas vjen edhe vetura “Seat”, duke treguar mbërritjen e përbashkët të të akuzuarve nga pompa e derivateve.
Një fotografi e shkëputur nga kamerat e sigurisë të datës 29 nëntor 2023, ora 17:49:30, kap veturën “Range Rover” të drejtuar nga Murseli, ndërsa disa sekonda më vonë shihet edhe vetura e Plavës në të njëjtin vend.
Shfaqja e këtyre pamjeve në gjykatë synon të japë një pasqyrë të lëvizjeve të të akuzuarve dhe të rrjedhës së ngjarjes, duke ndihmuar në hetimin dhe vlerësimin e rrethanave që çuan në vrasjen e Liridona Ademajt./BetimipërDrejtësi/