Durmishi: KFOR-i në dijeni për projektin e urave mbi Ibër, projekti pritet të përfundojë brenda 90 ditëve
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të nisin punimet për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër, në kuadër të një projekti të Qeverisë së Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas Durmishit, projekti përfshin ndërtimin e një ure për qarkullimin e automjeteve dhe një tjetër për këmbësorët, e cila do të shërbejë si shëtitore në të dy anët e lumit. “Në këtë kontratë i kemi dy ura, sot po fillojmë punimet. Kjo është ura për qarkullimin e automjeteve, ndërsa në pjesën tjetër do të bëhet ura për krijimin e dy shëtitoreve, për kalimin e këmbësorëve në të dy anët e lumit Ibër”, tha ai për RTV21.
Ai shtoi se, sipas kontratës, afati për përfundimin e të dy urave është 90 ditë. “Pra, deri në tetor do t’i kemi të përfunduara të dy këto ura – kjo këtu, sigurisht, pak më shpejt”, deklaroi zëvendësministri.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj këtij projekti, Durmishi theksoi se bëhet fjalë për një projekt të Qeverisë së Kosovës. “Jo, ne nuk kemi diçka zyrtare që nuk i mbështesin këto punime, për shkak se këto janë projekte të Qeverisë së Kosovës, të cilat mundësojnë qarkullimin sa më të lehtë e sa më të mirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit”, u shpreh ai.
Durmishi gjithashtu theksoi se ky nuk do të jetë projekti i fundit në këtë zonë. “Përgjatë lumit Ibër do ta trajtojmë komplet këtë hapësirë që gjendet përreth, në mënyrë që të jetë qarkullimi sa më i lehtë dhe më i mirë për qytetarët në të dy anët e lumit”, tha ai.
Sa i përket bashkëpunimit me KFOR-in, ai tha se janë në kontakt me përfaqësuesit e tyre dhe nuk ka pasur ndonjë kundërshtim nga ana e tyre. “Ata thjesht kanë kërkuar informacione se çka po ndodh. Ju kemi treguar se e kemi një kontratë, e kemi projektin, dhe po fillojmë sot implementimin e tij – dhe asgjë më shumë”, deklaroi Durmishi, duke shtuar se këto janë projekte të zhvilluara brenda territorit të Kosovës dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve.