Donika Gërvalla: E ardhmja evropiane ndërtohet mbi drejtësi, jo mbi harresë
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në takimin ministror në Taormina të Italisë, organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, Gërvalla ka theksuar se e ardhmja evropiane nuk mund të ndërtohet mbi harresë selektive dhe standarde të dyfishta, por mbi kujtesën, drejtësinë dhe guximin për të qenë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka bërë të ditur se ka rikujtuar homologët e saj për krimet e dhunës seksuale të kryera nga Serbia gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë Kosovën, Kroacinë dhe Bosnjën.
“Dhuna seksuale u përdor nga Serbia si armë lufte, ndaj grave, burrave dhe fëmijëve. Viktimat mbeten me plagë të hapura, ndërsa autorët enden të lirë në Serbi, shpesh të shpërblyer me poste dhe privilegje,” ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka kritikuar heshtjen e institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë, duke paralajmëruar se një qasje e tillë rrezikon përsëritje të historisë dhe minon përpjekjet për paqe të qëndrueshme.
Ministrja Gërvalla gjithashtu ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por jo si një vend që mbyll sytë para së shkuarës, por si pjesë e një Evrope që e njeh të kaluarën, mbron të vërtetën dhe ndërton paqe përmes drejtësisë.
“Vetëm një Evropë që i qëndron besnike vlerave të saj mund të ruajë koherencën, besimin dhe rolin e saj si faktor qëndror i drejtësisë dhe paqes në rajon dhe botë,” përfundoi ajo.
Fjalimi i Gërvallës u vlerësua si një thirrje e qartë për mbështetje më të madhe ndërkombëtare për viktimat e dhunës seksuale dhe për ndëshkimin e autorëve të krimeve të luftës, pa kompromise dhe pa vonesa.