Diaspora i dha Kosovës rreth 2 miliardë euro gjatë vitit 2021
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se flukset hyrëse të remitencave në Kosovë përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të financimit të huaj. Kështu duke dominuar në diskutimet lidhur me burimet e rritjes ekonomike, zbutjes së hendekut të deficitit tregtar, uljes së nivelit të varfërisë në vend apo tërheqjes së investimeve të huaja. […]
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se flukset hyrëse të remitencave në Kosovë përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të financimit të huaj.
Kështu duke dominuar në diskutimet lidhur me burimet e rritjes ekonomike, zbutjes së hendekut të deficitit tregtar, uljes së nivelit të varfërisë në vend apo tërheqjes së investimeve të huaja.
Bashkatdhetarët që kanë ardhur në Kosovë gjatë vitit që lamë pas, sipas disa hulumtimeve të bëra nga disa organizata joqeveritare, ata kanë shpenzuar rreth 2 miliardë euro, këtu përfshirë edhe remitencat.
Ardhjen e mërgimtarëve si dhe të hollat e shpenzuara, sipas ekspertëve të këtyre hulumtimeve, thuhet se janë një mbështetje për ekonominë e vendit, e kjo sidomos në kohë të pandemisë COVID-19.
Organizata që merret kryesisht me diasporën, Arbnor Mjeku nga organizata “Germin”, ka thënë për KosovaPress se shpenzimet e mërgimtarëve gjatë vitit 2021 në vendin tonë arrijnë shifrën e rreth 1 miliardë eurove.
Mjeku shtoi se për periudhën janar-tetor të vitit të kaluar remitancat kanë shënuar rekord, ku arritën vlerën e 956 milionë eurove ose 20 përqind më shumë sesa për të njëjtën periudhë në vitin 2020. Ndërsa, shuma rritet për shkak të vizitave dhe festave të fundvitit.
Numri i bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë më 2021 vlerësohet të jetë mbi 1.5 milionë.
“Gjatë vitit (2021) ne presim një rritje prej 2 miliardë eurove, duke përfshirë remitancat dhe shpenzimet të cilat bëhen në Kosovë, pra 1 miliard e më shumë kanë me qenë remitanca dhe pjesa tjetër kanë me qenë shpenzime të cilat bëhen nga bashkatdhetarët në momentet kur frekuentojnë vendet e tyre amë, qoftë periudhën verore e po ashtu edhe në festat e fundvitit në dimër. Ne e dimë që shpenzimet janë të ndryshme e po ashtu, shpenzimet diasporës përbëjnë një kategori tjetër të të ardhurave në Kosovë. Këto të hyra janë të rëndësishme për buxhetin e Kosovës, duke ditur se buxheti i Kosovës është vetëm 2.7 miliardë euro gjë që tregon se të ardhurat e diasporës po e mbërrijnë atë shifër dhe jemi me fat që kemi atë shifër”, thotë Mjeku.
Sipas Mjekut, çdo bashkatdhetarë shpenzon mbi 2 mijë euro në muaj, në Kosovë.