Diaspora deri në muajin nëntor në Kosovë solli rreth 900 milionë euro

Pandemia COVID-19 e “bllokoi” të gjithë botën, kështu duke rritur numrin e papunësisë, por pavarësisht kësaj Diaspora e Kosovës ka vazhduar të dërgoj para në vendlindje.

Vetëm për muajin nëntor diaspora ka dërguar rreth 14 milionë euro, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kjo i bie më shumë sesa muaji i njëjtë i vitit të kaluar.

Për këtë muaj, në vendin tonë u sollën 87.2 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 72.4 milionë euro.

Duke krahasuar periudhën dhjetë mujore të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës ka dërguar 104.2 milionë euro më shumë, apo në total 883.3 milionë euro.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.

Në tremujorin e tretë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 40.8 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 24.4 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6.2 për qind.

Për këtë periudhë, rritja e remitencave është për 18.1 për qind më e madhe se në vitin paraprak.

“Vetёm nё tremujorin e tretë të 2020-së, vlera e remitencave tё pranuara ishte 262.2 milionё euro, apo 18.1 pёr qind mё shumё krahasuar me tremujorin e tretë të 2019-së”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i tretë 2020”, raporton Telegrafi.

BQK thotë se, rritja e dërgesave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës së pandemisë, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020 kur shënuan rënie.

“Përkundër faktit se edhe vendet ku janë të koncentruar diaspora kosovare janë goditur shumë nga kriza e pandemisë, remitencat kanë shënuar përshpejtim të rritjes. Rritja e remitencave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020 kur shënuan rënie”, thotë BQK.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, 615.2 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

“Dërgesat e remitencave përmes operatorëve që transferojnë para kanë shënuar rritje për 62.0 për qind deri në shtator ndërsa remitencat që dërgohen përmes bankave kanë shënuar rritje për 10.3 për qind. Në anën tjetër, duke pasur parasysh mbylljen e kufirit si dhe kufizimeve të tjera, remitencat që vijnë përmes ‘kanalit jo-formal’ kanë shënuar rënie prej 57.5 për qind deri në muajin shtator 2020. Ky trend i rritjes së remitencave pritet të vazhdoj edhe në muajt vijues, vetëm në muajin tetor rritja e remitencave ishte 27.6 për qind”, thuhet në raportin makroekonomik.

Gjatë muajit tetor 2020, mërgata në drejtim të Kosovës kishte dërguar 99.4 milionë euro, kurse vlera më e lartë e dërguar brenda këtij viti ishte muaji maj me 104.4 milionë euro.

RAPORTO