Dhuna ndaj grave, kërkohet vëmendje serioze institucionale

08.01.2022

Problemet e ndryshme mes familjarëve përveç dhunës psiqike, shumë herë përfundojnë edhe me dhunë fizike. Raportimet për rastet e dhunës në familje janë të shpeshta, e sidomos në vitin që lamë pas kur edhe ishim të izoluar si pasojë e situatës me pandeminë COVID-19, e cila ka ndikuar që të rritet numri i rasteve të […]

Dhuna ndaj grave, kërkohet vëmendje serioze institucionale

Problemet e ndryshme mes familjarëve përveç dhunës psiqike, shumë herë përfundojnë edhe me dhunë fizike.

Raportimet për rastet e dhunës në familje janë të shpeshta, e sidomos në vitin që lamë pas kur edhe ishim të izoluar si pasojë e situatës me pandeminë COVID-19, e cila ka ndikuar që të rritet numri i rasteve të tilla.

Deri tek ardhja e dhunës në familje ndikojnë shumë faktorë, ndërkaq psikologët mendojnë se pandemia me COVID-19 mund të ketë ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës në familje, kështu duke mos harruar edhe faktorët e tjerë socio-ekonomikë.

Policia e Kosovës ka intervenuar në rreth 2200 raste të dhunës në familje për 11 muajt e parë të vitit të kaluar, ku në 78% të rasteve viktimë është femra, ndërsa në 47% të rasteve mosmarrëveshjet kanë ndodhur mes bashkëshortëve.

Periudha janar-nëntor 2021 ka shënuar rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020, në Policinë e Kosovës janë raportuar 2 mijë e 198 raste e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të 2020 që kanë qenë 1 mijë e 910 raste, kemi rritje për 288 raste apo shprehur në përqindje 13.10%”, theksoi ai.

Kjo situatë po shihet shumë shqetësuese nga psikoterapeuti, Yll Avdijaj. Ai në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se këto raste kërkojnë vëmendje serioze institucionale.

“Rastet e dhunës që po ndodhin kohët e fundit, padyshim se janë shqetësuese dhe kërkojnë një vëmendje serioze institucionale dhe profesionale. Siç e dimë, pandemia ka ndikuar negativisht në shumë sfera të jetës, e po ashtu edhe në gjendjen psiko-emocionale të njerëzve. Kjo dukuri, ka arritur të shpërfaqë shumë probleme si në aspektin politik, ekonomik e po ashtu edhe në rrafshin social, gjë që kjo e fundit shpesh herë po rezulton e dhimbshme, në momentin kur po cenohet dinjiteti dhe integriteti personal i individit në shoqëri”, u shpreh ai.

LEXO EDHE:  Aksion i madh i policisë në rajonin e Zubin Potokut

Avdijaj tha se “këto dukuri nuk është që nuk kanë ekzistuar edhe më herët, mirëpo dinamika e ngjarjeve, frika dhe shqetësimet e tjera psiko-emocionale që ka shkaktuar kjo gjendje, po rezulton edhe me sjellje të cilat po eskalojnë deri tek dhuna psikike, emocionale, fizike e po ashtu edhe kërcënimi i jetës së individit”.

Duke folur për dhunën në familje, Avdijaj thekson se një rol të madh e ka edhe sistemi tradicional.

“Një rol të madh ka edhe aspekti socio-kulturor në shoqërinë tonë, sistemi tradicional, e që shpeshherë në një farë mënyrë sikur e aprovon dhunën dhe e miraton atë. Kjo direkt apo indirekt i kontribuon zhvillimit të një modeli të thellë të dhunshëm në shoqëri. Mesazhi që e përçon te të tjerët është se ‘qëllimi duhet arritur vetëm përmes dhunës’, e kjo gjë padyshim se lehtësisht mund të bëhet një lloj modelimi edhe për gjeneratat e ardhshme të reja”, potencoi ai.

Kurse, sa i përket profilit të dhunuesve, Avdijaj thotë se ata janë persona me çrregullime psikike.

“Nga rrafshi psikologjik, shikuar profilin e dhunueseve atëherë mund të themi se domosdo kemi të bëjmë me ndonjë person me çrregullime psikike, psiko-emocional, apo edhe konflikte të pazgjidhura me vetën, gjë që personi dhunues i projekton të të tjerët, deri në cenimin e të drejtës dhe dëmtimit të tyre. Në rrafshin psiko-social, mund të themi se mungon edukata dhe zhvillimi i vetëdijes së plotë mbi marrjen e përgjegjësive sociale, të cilat na ndihmojnë në mbajtjen e balancit shoqëror”, deklaroi ai.

Etiketat