Detaje të reja nga rasti në Prizren, viktima qëlloi veten gjatë provës së armës, tre persona në mbajtje
Policia ka publikuar detaje të reja lidhur me rastin e raportuar dje në Prizren, ku një 24-vjeçar dyshohet të ketë vrarë veten.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur dje, më 11 maj 2025, në orët 17:00-17:30.
Dy persona meshkuj kosovarë janë paraqitur në stacionin policor dhe kanë deklaruar se kishin shkuar në një zonë malore me viktimën mashkull kosovar për të provuar një armë që viktima kishte synim ta blinte nga njëri prej tyre.
Sipas dëshmive, pasi viktima e ka marrë armën, fillimisht ka shtënë tre herë në drejtim të tokës dhe më pas ka qëlluar veten në kokë.
Njësitë relevante policore, prokurori dhe ekipi i balistikës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Aty është sekuestruar një pistoletë pa fishekë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Lidhur me këtë rast, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Rasti aktualisht është nën hetime të mëtejshme nga ana e autoriteteve.