Deri në 600 mijë armë në duart e qytetarëve të Kosovës, eksperti i sigurisë ngre alarmin

08.10.2022

Në Kosovë vazhdojnë të shënohen plagosje, vrasje e krime të rënda të natyrave të ndryshme. E, për njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë, arsyeja kryesore për këtë fenomen janë armët ilegale që janë në duart e qytetarëve. Ndërsa, Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1,500 armë pa leje të llojeve të ndryshme. […]

Deri në 600 mijë armë në duart e qytetarëve të Kosovës, eksperti i sigurisë ngre alarmin Foto: Ilustrim

Në Kosovë vazhdojnë të shënohen plagosje, vrasje e krime të rënda të natyrave të ndryshme.

E, për njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë, arsyeja kryesore për këtë fenomen janë armët ilegale që janë në duart e qytetarëve. Ndërsa, Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1,500 armë pa leje të llojeve të ndryshme.

Fadil Kajtazi në një prononcim për Telegrafin tha se bazuar në shifrat e publikuara nga organizata vendore dhe ndërkombëtare në duart e qytetarëve ndodhen nga 400 deri në 600 mijë armë, e të cilat sipas tij përbëjnë një shqetësim.

Sipas tij, është momenti i fundit që qytetarët e Kosovës të përballen me këtë problem.

“Pa hyrë për të komentuar shifrat e publikuara nga organizata vendore dhe ndërkombëtare se në duart e qytetarëve të Kosovës ndodhen nga 400 deri në 600 mijë armë, por duke i analizuar armët e konfiskuara qoftë nga Policia e Kosovës qoftë nga KFOR-i, e të cilat janë publikuar nga mediat e shkruara dhe elektronike, për ne, si shoqëri, ka vend për shqetësim të thellë dhe është momenti i fundit që të merremi me këtë problem në mënyrë që të mos na ndodhin raste si ai i adoleshentit ferizajas”, ka thënë ai.

Siç vlerësoi Kajtazi në dorë të popullatës së Kosovës ndodhet armatim tepër i sofistikuar dhe me efekte të shkatërrimit të lart.

“Nga ajo që shihet në publikimet e bëra në media, në dorë të popullatës së Kosovës ndodhet armatim tepër i sofistikuar dhe me efekte të shkatërrimi të lart. Gjatë aksioneve të policisë është konfiskuar armatim i të gjitha llojeve dhe kalibrave duke filluar nga pistoletat miniaturale e deri te mitralozët e rëndë”, ka thënë ai duke shtuar se “E gjithë kjo llojshmëri armësh për nga karakteristikat tekniko-taktike bën pjesë në grupin e armëve me mundësi të madhe të hapjes së zjarrit dhe përdorimi i tyre eventual nga persona të papërgjegjshëm në hapësirat publike do të shkaktonte viktima që i tejkalojnë ato çfarë po shohim këto vitet e fundit nëpër shkollat amerikane dhe rasti i vitit të kaluar në Gjermani”.

Ndërsa, sa i përket publikimeve të bëra nga institucionet shëndetësorë, eksperti i sigurisë thotë se “flasin për rritje të personave të cilët vuajnë nga traumat dhe sëmundje që bëjnë pjesë në grupin e atyre depresivë”.

“Publikimet e bëra nga institucione shëndetësore flasin për rritje të personave të cilët vuajnë nga traumat dhe sëmundjet, si pasoj e tyre, që kryesisht bëjnë pjesë në grupin e atyre depresivë e që në masë të madhe janë determinuar nga lëndimet që ka shkaktuar lufta, gjendja ekonomike e rënduar dhe nga përdorimi në rritje i konsumimit të narkotikëve nga ana e adoleshentëve. Edhe sikur të përjashtohet mundësia e përdorimit të këtij arsenali nga grupe kriminale, për shkak të përhapjes në masë të armatimit, apo për shkak të ardhjes së lehtë deri te ai, përdorimi aksidental i tyre nga persona me probleme shëndetësore dhe të atyre me probleme të ndryshme sociale, do të shkaktonte dëme të papara”, potencoi ai.

Mirëpo, siç tha Kajtazi ajo që shton rrezikun edhe më shumë në ambientet publike dhe private është posedimi i eksplozivëve, mjeteve plasëse si dhe lansues të tyre nga qytetarët e Kosovës.

Nga publikimet e bëra nga policia, Kajtazi thekson se shihet prania e madhe e tyre si dhe ka mjaft raste kur këto mjete janë përdorur dhe me pasoja të humbjes së jetës së kalimtarëve të rastit.

“Mbajtja nëpër ambiente banimi të mjeteve plasëse apo edhe eksplozivit klasik, paraqet rrezikshmëri tepër të lart. Ky rrezik konsiston në atë se një pjesë e madhe e tyre (siç janë bombat e dorës) janë të konstruktuara në atë mënyrë që aktivizimi i tyre është shumë i lehët dhe atë mund ta bëjnë edhe fëmijët e vegjël në lojë e sipër”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Kajtazi thotë se pjesa tjetër e armatimit që paraqet burim të rrezikimit të gjendjes së sigurisë të përmasave më të gjëra është ai të cilën ushtria serbe ua ka lënë serbëve lokal e që një pjesë e madhe kanë qenë të mobilizuar gjatë viteve 1998-1999.

Sipas tij, janë katër kategori të qytetarëve të cilët mbajnë armë ilegale.

Ai theksoi se ka qytetarë të cilët i mbajnë armët e trashëguar brez pas brezi, ata që ndihen të kërcënuar, ata të cilët kanë mbetur pronar të armëve të cilat i kanë përdorur gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe ka qytetarë sipas tij që i mbajnë armët për zhvillimin e aktiviteteve kriminale./Telegrafi/